Ina Zhupa - Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë
Fillimisht, para se të nis interpelancën, dua të përshëndes nga kjo foltore aktivistët e diasporës për aksionin që zhvilluan sot në Parlament!
Në fakt, është turpi i këtij Parlamenti që nuk ka marrë ende në shqyrtim një veprim ligjor për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 09.12.2022, teksa i cakton Kuvendit detyrimin për përplotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti.
Ju keni shkelur një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ende nuk po merrni masat për të futur, për të sanksionuar dhe për të rregulluar me ligj votën e diasporës.
Ju sot duhet të ndiheshit të turpëruar, ju sot duhej t’u lironit foltoren atyre që të flisnin nga këtu dhe jo t’i nxirrnit jashtë me Gardën e Republikës. Ata nuk thyen asnjë rregull. Ky është Parlamenti i qytetarëve, ky Parlament mbahet me paratë e qytetarëve, mbahet edhe paratë e emigrantëve, që u sjellin prindërve dhe njerëzve të tyre këtu. Ju lutem, kthejuni ligjshmërisë dhe lejoni votën e diasporës!
E kam kërkuar këtë interpelancë me ministren Manastirliu pas daljes së rezultateve të testit ndërkombëtar PISA. Ky ishte një moment turpërimi, nga ato që ju i keni zakon, dhe prisja që ta anatemonit dhe ndoshta të thoshit që PISA, si “Rai 3” apo si raportet ndërkombëtare, sipas jush, ka dashur baltosjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por, në fakt, është një raport që zhvesh propagandën dhe dëshmon dështimin e sistemit arsimor parauniversitar.
Shqipëria, fatkeqësisht, kishte rënien më të madhe se ndonjë shtet tjetër në raport, por edhe rënien më të madhe krahasuar me veten e saj, që në vitin 2009, kur është rankuar për herë të parë në këtë test ndërkombëtar PISA vlerëson aftësitë e nxënësve 15vjeçarë në lexim, në matematikë dhe në shkencë dhe, respektivisht kanë rënë me 47 pikë, 69 pikë dhe 50 pikë. Ne renditemi më poshtë se Palestina, ne renditemi më poshtë se Uzbekistani. Ne kishim rënien më të madhe në krahasim me të gjitha vendet pjesëmarrje në testin PISA.
Aftësitë e nxënësve tanë janë kthyer mbrapa, në vitet 2000; është thelluar analfabetizmi funksional.
(Paraqet grafikun)
Ky është grafiku. Po jua tregoj me qëllim që të gjithë të kenë mundësi ta shikojnë edhe vizualisht se si jemi katandisur në një nga tri fushat kryesore. Pra, është në një formë U-je, ku Shqipëria kalon më poshtë seç e kishte nisur në vitin 2009. Sigurisht, ky është rezultat i drejtimit të arsimit, i reformave të dështuara dhe i mungesës së vullnetit politik për t’i çuar paratë tek arsimi.
Ky është turpi më i madh që mund t’i ndodhë një vendi, ku fëmijët, nxënësit dhe studentët kur të dalin nesër në punë, sepse ky është cikli, do të jenë analfabetë funksionalë, do të jenë me nivelin më të ulët sesa në vitet 2000. Krahasojeni me zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe social të vendeve të tjera?
Ky është turpi i kësaj qeverie! Në fakt, kjo duhej të ishte tema kryesore, e cila duhej të ishte diskutuar që në momentin që doli ky raport; duhej të ishte kambana e alarmit për të kuptuar atë që thuhet në raport se janë përkeqësuar të gjithë parametrat në shkollat shqiptare, si: klima shkollore, diskriminimi, bullizimi, mirëqenia e nxënësve, ndjenja e përkatësisë së nxënësve në shkollë, performanca e tyre, statusi i tyre social dhe ekonomik, diversiteti, burimet për edukim. Ne jemi të përkufizuar në PISA me fjalinë: “Shteti me rënien më të fortë nëpërmjet shteteve pjesëmarrëse”.
Shqipëria sot ka nisur një proces, që unë e quaj “dearsimim”. Pra, të biesh në këto nivele, ku të jesh poshtë Palestinës dhe Uzbekistanit, do të duhet të kthesh sytë nga arsimi, do të duhet që të turpërohesh.
Ne po rrisim njerëz analfabetë funksionalë, që ndoshta u shërbejnë më mirë parimeve të kësaj qeverie, që propaganda ka më shumë rëndësi se realiteti; ndoshta janë më të lehtë nesër për t’u blerë e për t’u manipuluar për vota; ndoshta u duhen, sepse do të besojnë që me të vërtetë kemi kryeministër “Skënderbe” dhe ministre “Mamicë”, por kjo nuk është mirë për të ardhmen e vendit, nuk është mirë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, për atë që pritet t’i ndodhë këtij vendi edhe në vitet e ardhshme.
Testi i radhës i PISA-s do të jetë në vitin 2025 dhe temë kryesore do të ketë ecjen në inovacion.
Mund të na ndiqni në:
Facebook | inazhupaPD
Instagram | inazhupa.official
Twitter | InaZhupa
KZitem | InaZhupa-KZitem
TikTok | inazhupa.official
Web | inazhupa.al
Негізгі бет Ina Zhupa interpelancë me ministren e arsimit Ogerta Manasterliu (pjesa 1), 2 maj 2024
Пікірлер