Ina Zhupa - Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë
Të gjithë e dimë që marrëveshja e pensioneve është një gjë e mirë dhe besoj se për këtë nuk ka ndonjë debat, por debati që ia vlen të bëhet në këtë sallë lidhet me show-n që bën mazhoranca socialiste për mbështetjen që i jep diasporës.
Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve, ndërsa pseudopatriotizmi, që përdorni ju, është streha e fundit e hajdutëve. Nje show i bërë në mes të Greqisë, që shumë mirë mund ta kishit bërë në stadiumin “Air Albania”, sepse njerëzit ishin të njëjtët, thjesht do të kishit një kosto më të ulët për autobusët e bashkive socialiste, sesa deri në Athinë. Aq shumë ishin angazhuar, sa nuk e fshinin mërzitjen kur u përgjigjeshin gazetarëve se si kishin ardhur me detyrim.
Më erdhi shumë keq, personalisht, që ju e pushuat nga puna dhe e detyruat drejtorin e teatrit “Bylis” të jepte dorëheqjen, sepse unë mendoj se ai ishte i vetmi në vendin e duhur, në një teatër të madh, ku spektatorët ishin me detyrim dhe aktori kryesor ishte një hajdut, që vjedh vendin e tij dhe bën propagandë jashtë vendit të tij, se me demek e do shumë vendin e tij. Nëse do ta kishte dashur vendin e tij Kryeministri Rama, nuk do ta kishte vjedhur; nëse do ta kishte dashur vendin e tij Kryeministri Rama nuk do t’i kishte detyruar njerëzit të iknin nga sytë këmbët dhe të shpopullohej ky vend; nëse do ta kishte dashur vendin e vet do t’i trajtonte me dinjitet pensionistët, studentët, gratë, burrat, administratën e këtij vendi dhe nuk do t’i merrte me autobusë, me detyrim, për të mbushur stadiumin e Athinës, a thua se kishte entuziazëm për një Kryeministër, që thjesht i kishte dëbuar nga vendi i tyre.
Aq shumë bajat ishte show, sa nuk gjetët dot një përfaqësues të kësaj diasporës që të dilte dhe t’i thoshte Edi Ramës “Kalos irthes”, “Mirë se erdhe” dhe morët për të folur Elisën, Blendin, ambasadoren. Por të paktën për respekt të atyre njerëzve mund të kishit gjetur ndonjë, edhe me pagesë, dhe ta kishit vendosur e t’i thoshte: mirë se erdhe, Kryeministrit! Por nuk pranonte askush nga emigrantët e ndershëm, që ka sakrifikuar për të jetuar në Greqi, që të bëhej pjesë e një fasade të pisët të një njeriu, që shkatërron jetët e familjarëve të tyre që jetojnë këtu dhe që është bërë sebep për vite të tëra, për 12 vjet, për të larguar edhe të tjerë nga Shqipëria.
Ky është realiteti, që nuk e fsheh dot as me muzikën e Noizy-t, as me muzikën e vjedhjes, as me muzikën e parave që kërcasin në autobusë të paguar për të mbushur stadiumet e Athinës, me demek për t’i bërë karshillëk fqinjit përballë.
E vetmja gjë e mirë që ndodhi nga ai koncert me fjalim ishte se më në fund patronazhistët patën mundësi të provonin sufllaqen origjinale greke, pasi janë ngopur me sufllaqet shqiptare apo me simite që ua jepni ju bodrumeve për të komentuar kundër opozitës, apo për të lavdëruar Kryeministrin tuaj në Facebook, nga honet e krijuara në një agjenci propagandë, që na e shet sapunin për djathë, a thua se realitetin nuk e jetojmë përditë dhe duhet ta shikojmë vetëm në televizor.
Foli kolegu këtu se pse nuk paska një marrëveshje me Greqinë për pensionet. Po kujt po ia kërkonte përgjegjësinë, neve?! Keni 12 vjet në pushtet, hajdeni dhe na jepni llogari pse nuk ka marrëveshje me Greqinë për pensionet, kur zëvendësministri i Financave e pranoi që ishin në negociata për këtë? Pse nuk thoni të vërtetën? Pse nuk thoni që kostoja e një arrogance dhe kostoja e shkeljes së të drejtave të njeriut, do t’ju kthehet mbrapsht? Asnjë standard europian nuk e pranon këtë lloj diktature, ku Kryeministri vendos mbi zgjedhjet, mbi votën dhe ku Kryeministri është ai që thotë: “Do të merresh personalisht me mua dhe unë do të merrem personalisht me ty”. Ky quhet kërcënim publik, dhe këtë nuk ta fal asnjë europian, nuk ta falin as shqiptarët. Nuk ia kanë falur Edi Ramës shqiptarët se si e keqpërdor pushtetin dhe se si i ka katandisur shqiptarët që të jetojnë në vendin e tyre si të huaj, me dëshirën për t’u larguar sa më shpejt nga Shqipëria.
Nëse keni kurajën të flisni për diasporën, flisni edhe për votën e diasporës, një detyrim që ju vjen nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, një gjykatë që ju nuk e respektoni kur merr vendime kundër interesit tuaj dhe që e duartrokisni kur bën interesat e lidhura me mazhorancën. Kaq e thjeshtë është. Po të vijë për mandatin e Olta Xhaçkës, nuk e respektoni, po të vijë për votën e diasporës, nuk e respektoni, ama po të vijë dhe të thotë se nuk i shqyrton dot shkeljet kushtetuese për deputetët e opozitës, atëherë jeni të lumtur dhe e respektoni Gjykatën Kushtetuese.
Mund të na ndiqni në:
Facebook | inazhupaPD
Instagram | inazhupa.official
Twitter | InaZhupa
KZitem | InaZhupa-KZitem
TikTok | inazhupa.official
Web | inazhupa.al
Негізгі бет Ina Zhupa fjalim në Kuvend për pensionistët dhe diasporen, 16 maj 2024
Пікірлер